Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sjelljet e qeverisë së Athinës ndaj emigrantëve në veçanti dhe Shqipërisë në përgjithësi, vazhdojnë të ecin me parimin “të tjera bën të thua”. Në një takim të drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme Dashnor Dervishi me të ngarkuarin e ambasadës greke në Tiranë, kjo e fundit ka shprehur një ndjesë të butë për vrasjen e një 18 vjeçari shqiptar në kufirin grek.

Por disa qindra kilometra larg Tiranës dhe Athinës, emigrantët dhe autoritetet e shtetit shqiptar ndeshen me një realitet të ashpër, madje kriminal. Në një njoftim zyrtar të drejtorisë së policisë së Korçës, deklarohen sjelljet e pahijshme të policisë greke dhe pas krimit të emigrantit të pafajshëm shqiptar.

Sipas deklaratës, një komision specialistësh i policisë shqiptare në përbërjen e të cilit ka qenë edhe shefi i komisariatit të Devollit, shefi i policisë kufitare të Kapshticës, si dhe drejtori i kufirit në Ministrinë e Rendit Publik, ka qenë në Kostur për të diskutuar rreth krimit të kufitarëve grekë, por në policinë e Kosturit i ka pritur vetëm një oficer i rëndomtë informacioni, i cili ka demonstruar brutalitetin e tij duke u lexuar zyrtarëve shqiptarë një version zyrtar të gënjeshtërt.

Sipas zyrtarit grek, policia e kufirit grek kishte plagosur për vdekje një kontrabandist shqiptar, një kontrabandist që në trup kishte vetëm rrobat dhe çantën e bukës. Pra fasada e ndjesës së diplomates greke në Tiranë është zhgaravitur menjëherë nga një polic i Kosturit./tvklan.al