Dy shoferë kamionësh janë përfshirë në konflikt me njëri tjetrin në doganën e Kapshticës. Siç thotë policia, njëri prej tyre ka goditur me thikë shoferin tjetër. Teksa i plagosuri Julian Todhe ndodhet në spitalin e Korçës, autori i dyshuar i ngjarjes Artur Arapaj është shoqëruar në komisariat.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e përdorur. Paraprakisht dyshohet se shkak i konfliktit që përfundoi në plagosje me thikë ishte radha për të kryer procedurën e skanerit.
“Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas, gjatë një konflikti të çastit, shoqërohet në Polici, autori i dyshuar i ngjarjes. Sot rreth orës 15:15, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë një konflikti të çastit shtetasi A. A., 51 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin J. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës. Nga të dhënat paraprake, rezulton se shtetasit janë konfliktuar për radhën e procesit të skanimit, të mjeteve që drejtonin“, njofton Policia.
Gazetarja e Klan News Daniela Zisi raporton se Todhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al