Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Familjarët e pastrehë, qiramarrës në ish-pronë private, të verbrit, jetimët, invalidët paraplegjikë dhe ata që kanë një akt-marrëveshje me organet e qeverisë, do të përfitojnë banesa brenda këtij viti.

Ministria e Rregullim Territorit dhe Turizmit ka parashikuar të investojë në fushën e strehimit një fond prej 350 milion lekësh. Fondi do të përdoret për ndërtim banesash, por edhe investime për blerjen e tyre. Gjatë këtij viti do të dorëzohen 136 apartamente në qytetet, si Vlorë, Shkodër, Durrës, Lezhë, Korçë dhe Peqin.

Sipas Ministrit të Turizmit, investimi për blerje banesash në tregun e lirë, me një fond prej rreth 167 milion lekësh zgjidh 97 kërkesa për strehim. Përsa i takon lëvrimit të kredisë greke, një pjesë modeste e saj prej 10%, janë përdorur për blerjen e disa apartamenteve.

Besnik Dervishi:- “Gjithçka nga pala shqiptare është gati, pritet vetëm financimi, e cila është një gjë që varet nga pala greke. Ne e kuptojmë situatën e vështirë ku ndodhen qytetarët që kanë humbur banesat e tyre në skemat piramidale, por besojmë se opinioni publik e kupton realisht këtë situatë të krijuar, prandaj nuk tingëllojnë normale, qëndrimet me karakter kërcënues të disa qytetarëve”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti