Universiteti Bujqësor i Tiranës do të ndihmojë qeverinë në fushat e konsulencës dhe ekspertizës për kërkime shkencore për nevoja që ka shteti në fusha të ndryshme.
Për këtë çështje, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe Rektori i Universitetit Bujqësor Fatbardh Sallaku firmosën një marrëveshje bashkëpunimi.
Ministri Mazniku tha se ky bashkëpunim është i rëndësishëm në kuadër të aksesimit të fondeve të Bashkimit Europian.
Arbjan Mazniku, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor: Gjatë vitit 2025 do të hapen të gjithë kapitujt. Kjo do të thotë që një seri programesh shumë të rëndësishme të BE në raport me zhvillimin territorial siç është gjithë programi i kohezionit apo fondet strukturore do të jenë të hapura për ne qEnë fund të 2027.
Rektori i Universiteti Bujqësor tha se tashmë është mundësia e të gjithë profesorëve të tregojnë veten për projekte që më parë kryheshin vetëm nga kompani konsulence të huaja.
Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor: Kompanitë e huaja janë të mirëpritura, por kompanitë e huaja resurset i kanë marrë te stafi im. Sot qeveria shqiptare, dhe këtë e kam adresim për kolegët e mi, ka zgjedhur të ndryshojë qasje. E vlerësojmë shumë dhe jam shumë i sigurtë që në harkun kohor të 4-5 muajve ne do të kemi produktet e para.
Marrëveshja e firmosur ka një kohëzgjatje një-vjeçare me mundësinë për t’u rinovuar në varësi të rezultateve.
Klan News