Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Licenca e tretë e telefonisë celulare, po bëhet gati, por ende nuk ka një afat të deklaruar për vënien në funksionim të saj. Pas kritikave të ashpra të presidentit Moisiu për situatën oligopol në këtë fushë dhe kërkesës për liberalizim të shpejtë të tregut nëpërmjet licencës shtetërore, shprehen ministrat përgjegjës.

Gazetarja: A ka ndonjë afat për licencën e tretë?

Arben Malaj:- “Qeveria mendon që licenca e tretë do të jetë pjesë e vendimmarrjes së plotë të kompanisë, në bazë të ligjeve që ajo funksionon, por qeveria ndjen të nevojshme, që tregu i telekomunikacioneve nuk rregullohet automatikisht nga numri i kompanive por nga një autoritet në rritje dhe profesional i enteve rregullatore të cilat vendosin rregulla edhe kur funksionojnë 1, 2 apo 3 kompani”.

Spartak Poçi:- “Neve kemi një treg sot me dy operatorë, nuk e kemi të imponuar këtë treg me dy operatorë, por përgatitemi ta bëjmë me tre, ndoshta më vonë kur të vijë nevoja edhe me katër. Ne nuk dimë se si do të lëvizin çmimet, oferta dhe kërkesa, kemi një ide të përgjithshme dhe e dimë shumë mirë që nga tregu do të pritet jashtëzakonisht mirë licenca e tretë”.

Qeveria i akordoi kompanisë së telefonisë fikse shtetërore Albtelecom, aktualisht nën privatizimi, licencën e tretë të telefonisë së lëvizshme. Kjo licencë sipas ligjit duhet të vihet në funksionim brenda një viti, që do të thotë përpara privatizimit të kompanisë./tvklan.al