Kanë qenë të ashpra reagimet e përfaqësuesve të qeverisë italiane pas vendimit të gjykatës së Romës që kërkoi transferimin e menjëhershëm të 12 emigrantëve nga Egjipti dhe Bangladeshi që mbaheshin në kampin e Gjadrit. Pas kryeministres Giorgia Meloni që e quajti vendimin paragjykues dhe në tejkalim të kompetencave, ministri i italian i Drejtësisë, Carlo Nordio e quajti një vendim jonormal.
“Reagimi i politikës nuk ishte kundër drejtësisë, por kundër argumenteve të këtij vendimi me të cilin ne nuk jemi dakord dhe madje e konsiderojnë jonormal. Nuk mund të jetë gjyqësori ai që e përkufizon një shtet pak a shumë të sigurt. Ky është një vendim shumë i lartë politik”.
Sipas ministrit të Drejtësisë, hapi i radhës do të jetë ankimimi i vendimit në një shkallë më të lartë të gjyqësorit. Ndërsa zëvendëskryeministri Mateo Salvini mblodhi drejtuesit e partisë së tij “Lega” duke e quajtur vendimin e gjykatës një sulmit ndaj Italisë dhe italianëve nga një pjesë e politizuar e gjyqësorit.
Të hënën qeveria italiane do të zhvillojë një mbledhje të posaçme për këtë çështje. Parashikohet miratimi i një ligji të veçantë ku do të përcaktohen shtetet që do të cilësohen si të sigurta nga ku nuk do të pranohen emigrantët e paligjshëm.
Gazeta “La Repubblica” shkruan duke cituar burime të saj se qeveria italiane do të vijojë zbatimin e marrëveshjes duke dërguar të mërkurën ose të enjten e ardhshme një tjetër anije me emigrantë në Shqipëri.
Tv Klan