Prej sot, pensionistët përfitojnë rritjen e pensionit të premtuar nga qeveria. Vendimi më i fundit i saj i ka rritur me 8% pensionet e pleqërisë në qytet, 22% ato në fshat, 10% pensionet familjare dhe të invaliditetit për qytetin, 4% pensionet suplementare dhe 10% pensionet e minatorëve.
Gjatë një konference për shtyp, drejtoresha ISSH, Evelina Koldashi tha se përveç rritjes, të gjitha pensionet minimale përfitojnë edhe një kompensim prej 190 lekësh.
Evelina Koldashi: “Nga kjo rritje do të transferohen në buxhetet familjare 4.4 miliard lekë. Numri i përfituesve është 283 702 pensionistë, 41 mijë pensionistë invalidi që përfitojnë pension invaliditetit, 49 619 pensionistë që përfitojnë pensione familjare ose përfitues të pensioneve familjare. Ndërsa në fshat do të përfitojnë 142 786 pensionistë që përfitojnë pensione pleqërie, 5467 përfitues të pensioneve të invaliditetit në fshat dhe 11333 përfitues të pensioneve familjare. Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të pleqërisë në qytet nuk mund të jenë më të vogla se 12 226 lekë. Ndërsa të ardhurat minimale për pensionin e plotë në fshat nuk mund të jenë më të vogla 7234 lekë. Të ardhurat për pensionin maksimal në qytet bëhen 21052 lekë.”
Duke përllogaritur rritjen e pensioneve gjatë katër viteve rezulton se pensionet minimale në qytet janë rritur me 46.6%, ndërsa pensioni minimal në fshat është rritur me 100%./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami