Që në orët e para të mëngjesit nxënës dhe prindër  kanë vendosur lule dhe qirinj në vendin ku 14-vjeçari Martin Cani u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij.

Dhimbja dhe trishtimi ka pllakosur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Nxënësit, prindërit, gjyshërit, shprehen të tronditur nga kjo ngjarje, e cila sipas tyre duhej të parandalohej.

“Kam nipin është paralel me viktimën. Nuk e kam pyetur nuk kam guxim ta pyes, nipi im ka ngrirë komplet, është  i ngrirë komplet. E priste nënë në shtëpi, e priste për drekë ku i vajti ai fëmijë. Ku është përgjegjësia e mësuesve, e rojeve tek dera, e shokëve?! Prindi duhet ta mësojë fëmijën që ta dojë shokun, të respektojë mësuesen, të respektojë më të madhin jo kështu,” tha mes lotëve një e moshuar.

“Jemi të trishtuar, më të trishtuar nga sa s ka më. Kam fëmijët këtu në shkollë, ka ardhur duke qarë në shtëpi.”

“Kam djalin, ndjehemi shumë të trishtuar.”

Sipas prindërve, duhet reagim nga institucionet qendrore, madje deri dhe në mbyllje të rrjeteve sociale.

“Të gjithë drejtorët e shkollave dhe bordi i prindërve sot duhet të alarmoheshin dhe të përcaktonin një orë të veçantë për t’u marrë vetëm me këtë problem. Duhet kapur problemi që në rrënjët. Unë mendoj se disiplina është mbi të gjitha dhe rrjetet sociale. Shteti ynë urgjentisht duhet të ndalojë TikTok-ët dhe rrjetet sociale. T’i mbyllim sa më parë, që të shpëtojë fëmijët dhe brezin e ri, që dhe mësuesit të gjejnë më shumë mundësi që të punojnë se dhe ata janë në pozita shumë të vështira. Nuk punojnë dot ata kërcënohen edhe nga lart dhe nga poshtë. Arsimi është në udhëkryq.”

Prindër të tjerë kërkojnë të ketë edhe detektor metalesh në shkollë.

“Duhet të shtohet masa e sigurisë, prindi duhet të komunikojë më shumë me fëmijën dhe të futet ajo pajisja që kontrollon nëse futen metale apo jo, është kryesorja.”

“Duhet një oficer sigurie për çdo shkollë që të jetë tamam, të zbulojë ku janë konfliktet, por jo thjesht një portier, sa për të hapur e mbyllur portën.

Për të nderuar kujtimin e Martinit kanë ardhur edhe nxënës nga shkolla të tjera që e njihnin.

“Për t’i sjellë lule, kemi ardhur nga gjimnazi. Ka qenë çun shumë i mirë, shumë i urtë edhe nëse nuk të njihte të respektonte. Ai na njihte të gjithë si shok, se ne kemi qenë grup i madh të gjithë dhe na fliste përherë. Ka qenë shumë çun i mirë.”

Kthimi i shkollës në normalitet është i vështirë, ndërkohë që nxënësit pas ngjarjes së rëndë kanë nevojë për shërbim psiko-social më të zgjeruar.

Klan News