Policia arrestoi një 14-vjeçar, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, ngjarje që ndodhi të hënën rreth 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e  Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal”, njoftoi policia këtë të martë.

Nga ngjarja që ndodhi pranë shkollës, u përfshinë në total tre persona. Autori 14-vjeçar gjatë sherrit me dy bashkëmoshatarë të tij i goditi me thikë. Për pasojë mbetën të tre të plagosur. Por një prej tyre ndërroi jetë në spital, ndërsa tjetri, bashkë me autorin, janë jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar vrasjes së 14-vjecarit në shkollën “Fan Noli” pas ngjarjes

Si ndodhi ngjarja?

Dyshimet janë që ata u takuan me qëllim sqarimin e një konflikti që kishin patur të premten e shkuar. Tre të rinjve iu bashkuan dhe katër adoleshentë të tjerë, po të së njëjtës moshë të cilët qenë prezent në momentin e ngjarjes.

Ndonëse takimi ishte për sqarim, gjithçka agravoi në përplasje verbale e më pas në përdorimin e thikave, ku për pasojë tre prej tyre mbetën të plagosur. Mes tyre dhe viktima, i cili në tentativë për t’u larguar ra në tokë pak metra larg vendit të ngjarjes.

Një kalimtare e rastit e mori me makinë dhe e dërgoi në spital, aty ku dhe ndërroi jetë. Ndërkohë një prej adoleshentëve, shok me viktimën, mori 4 plagë, një prej të cilave në kraharor dhe u dërgua në Spitalin e Traumës, aty ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ndërsa adoleshenti i tretë që mbeti i plagosur në këtë ngjarje mori një plagë në krah dhe u dërgua në një spital privat. Nga hetimet paraprake rezulton që ai të jetë edhe autori i dyshuar i vrasjes së 14-vjeçarit./tvklan.al