Nëse një ditë nuk ndihesh mirë dhe je i detyruar të drejtohesh në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për t’u kuruar, mos u çudisni kur të përballeni me kushtet skandaloze.

Gjendja në shumicën e godinave të kryeqendrës shëndetësore në vend është e mjerueshme. Kamera e Televizionit Klan bëri një vëzhgim në disa ambiente spitalore.

Brunilda Cami: “Gjendemi në spitalin e sëmundjeve të brendshme. Në këtë godinë prej vitesh nuk është bërë po thuajse asnjë investim. Siç e shikoni ashensori këtu nuk punon. I vetmi ashensor i cili punon është ky këtu për të cilin duhet të presësh të paktën 1 orë minimalja për hipur në të dhe me këtë ashensor, bëhet transporti i karrocave dhe ndonjëherë ju bie radha edhe pacientëve. Çudia shqiptare bën që ashensorin duhet ta hapë dikush nga brenda, e për këtë është punësuar një punëtor i cili të dielave e ka pushim, e për pasojë edhe ashensori në këtë ditë nuk funksionon”.

Edhe pse mungesa e ashensorit bën që barelat me pacientët e sëmurë të ngjiten deri në kat të 6-të në krah nga të afërmit e pacientit, ky nuk është problemi i vetëm në këtë godinë.

Këtu asgjë nuk funksionon, muret janë të rrënuar dhe nga moment në moment mund të përsëritet e njëjta situatë e pak muajve më parë në spitalin infektiv, ku suvaja rrezikoi jetën e pacientëve që po kryenin ekzaminim në dhomën e ekos. Kushtet higjienike lënë shumë për të dëshiruar, kjo evidentohet edhe nga pacientët.

Brunilda Cami: Si ju duken kushtet në spital?

“Ka vend për vërejtje, por nuk është keq”.

Brunilda Cami: Çfarë psh?

“Shërbimi bëhet, pastërtia”.

“Për një përcaktim skaneri apo rezonance, është ambulanca që merret data, do ti bishë spitalit rreth e përqark përdurë e në përdurë, duhet të jesh nga ato të arenave të cirkut që të arrisësh deri te shkallët. Kur ne që jemi tamam po i sëmuri si mund të bëjë? 1 palë shkallë nuk janë këtu?”

“Disa ilaçe që mungonin vërtetë nga xhepi i kam blerë”.

E megjithatë spitali i sëmundjeve të brendshme nuk është i vetmi që nuk përmbush asnjë kusht për të trajtuar pacientë. Problematike paraqitet gjendja edhe në shërbimin e kirurgjisë.

Brunilda Cami: “Pas spitaleve të sëmundjeve të brendshme, kemi ardhur tek kirurgjia. Edhe këtu siç e shikoni ashensori nuk punon. Le t’i hedhim një sy ambienteve të brendshme të këtij shërbimi. Mos u çudisni nga këto pamje, vazhdojmë të jemi brenda ambienteve të QSUNT-së, edhe pse nuk duket aspak si e tillë”.

Pamja këtu është e ngjashme me spitalet e  para luftës, e nëse drejtoria e higjienës do të kryente një inspektim këtu me siguri do të jepte vendim mbylljeje, pasi pacientët rrezikojnë më shumë se sa mund të shërohen, këto nuk janë të vetmet probleme në këtë qendër, kamera e TV Klan ka vendosur ti sjell ato një nga një vëmendje derisa situate të gjej zgjidhje./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami