Brenda vitit 2020 kryeqytetit pritet ti shtohen 400.000 banorë të rinj, ndërsa numri i automjeteve private do të nëntëfishohet.

Do të jenë mbi 300 mijë makina në qarkullim. Për harmonizuar sa më mirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve në planin rregullues të Tiranës janë parashikuar zonat ku mjetet marrin përparësi në lëvizje.

Brunilda Cami: “Automjetet private do të kenë përparësi në unazën e madhe si dhe jashtë saj ndërsa përsa i përket zonës brenda unazës së madhe e deri në qendër, përparësia do të marrë transporti urban”.

Makinat private që do të kalojnë në  brendësi të zonës së unazës së madhe do të jenë të reduktuara. Për t’i dhënë më shumë përparësi shërbimit publik, do të krijohen korsi të veçanta për autobusët në arteriet kryesore. Përgjatë lumit të Lanës do të ketë korsi të veçanta për këmbësorët dhe biçikletat.

Brunilda Cami: “Zona ku këmbësorët do të marrin totalisht përparësi do të jetë qendra e kryeqytetit. E parashikuar në planin rregullues, por edhe në planin francez për qendrën e Tiranës. Kjo zonë do të jetë vetëm për këmbësorët, asnjë automjet nuk do të lejohet më të kalojnë, devijimi i tyre do të bëhet në unazën e vogël”.

Në këtë mënyrë automjetet po ashtu dhe linjat urbane do të kalojnë jashtë sheshit Skënderbej. Hapësira e krijuar mes Bankës së Shqipërisë, Muzeut Historik Kombëtar, 15 katëshit, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të jete e lejueshme vetëm nga këmbësorët dhe biçikletat.

Automjetet do të mund të lëvizin jashtë trajektores së krijuar nga këto objekte. Parkimi është një tjetër problem që plani rregullues merr përsipër t’i japë zgjidhje.

Ai parashikon zona parkimi në rrugë dhe jashtë saj. Po kështu edhe ne qendër. Me shtimin e popullsisë kryeqytetit do t’i shtohen edhe 17 shkolla të reja, si dhe disa poliklinika në zonat periferike.

187 hektarë do të shërbejnë për veprimtari tregtare, ndërsa  340 hektarë do të shërbejnë për zona ekonomike dhe veprimtari magazinuese.

Plani rregullues i Tiranës do mbajë të paprekur zonat e gjelbërta të kryeqytetit, siç është parku i liqenit, parku i Farkës dhe a i Paskuqanit. Plani Rregullues do të veproje në një sipërfaqe prej 60 mijë kilometrash katrore./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami