Banorët e Shupenzës dhe Gjoricës, zonave të prekura nga tërmeti, kanë filluar të rikonstruktojnë shtëpitë e tyre. Të njohur si ustallarët më të mirë në vend, dibranët nuk kanë pritur marrjen e dëmshpërblimit, por kanë nisur vetë të riparojnë dëmet që shkaktoi tërmeti i 2 javëve më parë.
“Po Komisioneri i vlerësimit të dëmeve erdhi edhe veç bëri matjet me i fjalë të mureve lartë e poshtë i shikon ato rregullat e veta. Tani ne mundohemi të ndërtojmë vetë me i morë pak, se ça me bo se nuk rrihet me gjithë këto kalamaj, me nejt në shi se koha shyqyr zotit u hap tani, po mund të prishet se jemi në shtator tani”.
“Po sa e mbulum ne çatinë, me i fjalë të bëjmë meremetime ra tërmeti, mrapa kishim frikë me hy me pastru e me rregullu. Ça të bëjmë të mundohemi ti rregullojmë, me ndihmën që do na ndihmojnë”.
“Po kam fillu që të bëj një ndërtesë tjetër atje sipër, sot punova dhe bile jam duke hap themelet”.
Brunilda Cami: “Ndërsa banorët vazhdojnë dhe përpiqen të sistemojnë shtëpitë e tyre të dëmtuara nga tërmeti i dy javëve më parë, lëkundjet e tërmetit të cilat vijojnë edhe në ditët e sotme, vazhdojnë të shkaktojnë sërish dëme”.
“Këtu në Qenes, qe keq në disa shpija sidomos këto shpijat janë disa të vjetra, po dhe të rejat ka dëmtu edhe po dëmtojnë. Mbrëmë, nga lëkundja e mbrëmshme më ka bërë një lëvizje tjetër shembja. Nga frika s’qëndrojmë dot mrena në shtëpi, ja flejmë aty jahstë në çada”.
“Dëme jo, frikë kam pas te njerëzit, kemi nejt përjashta krejt”.
Kryetarët e komunave të prekura nga tërmeti, kanë shpërndarë rreth 300 çadra banorëve, ndërsa emergjencat kanë ngritur një kamping për të dëmtuarit. Kampingu i ngritur në qendër të Gjoricës, nuk është frekuentuar nga banorët të cilët kanë preferuar të ngrejnë çadra pranë shtëpive të tyre, ndërkohë grupet e ekespertëve nga Tirana kanë përfunduar po thuajse përllogaritjen e dëmeve materiale dhe pritet dalja e faturës financiare. Dëmshpërblimi do t’u jepet banorëve në filim të tetorit nëpërmjet llogarive bankare që ata do të hapin.
Xhella Mera: “Kanë përfunduar 4 fshatra Gjoricë e Poshtme, Gjoricë e Siperme, Çerenec i poshtëm, Çerenec i sipërm, janë vlerësuar gjithsej 314 shtëpi nga të cilët sipas ekspertëve ka dalë që 16 janë me dëmtime të rënda dhe 1 shtëpi duhet të ndërtohet nga e para”.
Mois Llani: “Deri tani kanë mbaruar 10 fshatra, janë edhe 2 tjera. Numri i shtëpive është 353 dhe për këto dimë që shuma e parave sipas dëmeve që është krijuar nëpër shtëpitë e tyre kanë kaluar dhe pritet që secili prej këtyre që të hapin numrat e llogarive sepse lekët do t’ju kalojnë në numrin e llogarive të tyre, nuk do tu jepet kesh në dorë. Për këto 353 të parit në fundin e javës përfundon, për pjesën tjetër, javës tjetër mbulohen totalisht”.
Brunilda Cami: “Duke qenë se lëkundjet vazhdojnë të ndjehen herë pas here, deri në përfundim të përllogaritjes së dëmeve, streha e vetme e këtyre banorëve për të qenë sa më të sigurt mbeten çadrat”./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami