Fieri është një prej qyteteve ku bie në sy mungesa e linjave urbane.

Ndonëse një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të vendit qyteti me një popullsi prej 110 mijë banorësh nuk ofron për qytetarët shërbimin e transportit publik.

Vetë banorët shprehen se vendosja e linjave urbane tashmë është një domosdoshmëri.

“Duhet të ketë një urban, i cili t’i shërbejë komunitetit me gjithë sipërfaqen që ka qyteti i Fierit.”

“Është një qytet, dmth, me shumë lëvizje dhe mendoj se duhet të ketë një linjë urbane.”

“Patjetër që duhet të ketë urban. Një qytet kaq i bukur sa Fieri është gjynah.”

Bashkia ka hapur tenderin për vendosjen e një linje urbane në unazën e sapo përfunduar të qytetit, por zhvillimi i tij është shtyrë disa herë.

Erion Mile: “Bashkia në këto momente është në përzgjedhjen e këtyre firmave. Shpresojmë që brenda këtij viti qyteti i Fierit të jetë me një urban, llogaritur që të përshkojë të gjitha rrugët kryesore të qytetit duke përfshirë dy kryqëzimet kryesore, Ramiz Aranitasin me qendrën e qytetit, Jakov Xoxa duke dalë tek kryqëzimi i Skënderbeut dhe brigada 11 sulmuese bashkë me rrugën e Semanit.”

Vendosja e këtij shërbimi do të lehtësonte ndjeshëm lëvizjen e banorëve në këtë qytet, të cilin ndryshimet demografike po e kthejnë në një prej qendrave më të populluara dhe më të rëndësishme të Myzeqesë./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo