Rreth 80 mijë qytetarë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen depistimit për Hepatitin B.
Duke e konsideruar këtë sëmundje si një rrezik aktual për shoqërinë shqiptare Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe kompania farmaceutike, Glaxosmithkline, kanë hartuar për herë të parë planin e aksionit kombëtar për depistimin e Hepatitit B.
Ky projekt ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare dhe autoriteteve shëndetësore për nevojën e kujdesit për shëndetin.
Depistimi do të nisë fillimisht në qytetin e Tiranës ku do të testohen 20 mijë persona të grupmoshave të ndryshme.
Alban Ylli: “Në të gjitha qendrat shëndetësore, ambulancat, spitalet, ku ka shërbime dhe ku personat shkojnë për të kërkuar një shërbim mjekësor do t’u ofrohet falas një test i shpejtë dhe të gjithë personat që do të dalin pozitiv do të mund të diagnostikohen më tej në laborator të specializuar. Të gjithë personat që do të konsiderohen pozitivë do t’u ofrohet këshillim falas dhe orientim drejt mjekimit të përshtatshëm ose nevojës për vaksinim”.
Gazmend Bejtja: “Aktualisht të gjithë brezat deri në moshën 13 vjeç janë të vaksinuar dhe të mbrojtur nga Hepatiti B, ndërkohë që sigurisht të gjithë grupmoshat mbi 13 vjeç mbeten të pambrojtura dhe në risk për t’u prekur nga kjo sëmundje”.
Depistimi i qytetarëve do të bëhet nga specialistë. Aktualisht sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 2 miliard njerëz në botë kanë kaluar Hepatitin B, mbi 350 milion njerëz janë mbartës kronik të kësaj sëmundje dhe të dhënat tregojnë që shoqëria shqiptare është mjaft e rrezikuar nga ky virus./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami