Berati jeton prej ditësh me lajmin e përfshirjes së qytetit me pasuritë e trashëgimisë botërore të mbrojtura nga UNESCO.
Më të moshuarit ndjejnë mallëngjim për atë që kanë ruajtur me fanatizëm në vite duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga brezat e rinj.
Historianë të qytetit mendojnë se kjo ngjarje do të hapë një fazë të re të zbulimit të vlerave që fsheh qyteti 2400 vjeçar.
Parashqevi Sahatçi: “Berati e ka bërë historinë e tij që kur u hodhën themelet e kështjellës. Duhet që historikun e Beratit ta marrin në dorë ose të jenë të aftë për të shkruar. Jo kushdo mund t’i hyjë historisë”.
Përfshirja e Beratit si pasuri e UNESCO-s është pritur me entuziazëm edhe nga krerët e komuniteteve fetare të këtij qyteti.
Ekzistenca e xhamive dhe kishave të vjetra shihej si një prej ndërthurjeve të rralla të bashkëjetesës fetare.
Murat Dura: “Këto janë vepra të gjalla monumentale dhe mendoj se kanë shërbyer mjaft për qytetin tonë që të pranohet në UNESCO duke qenë se janë ruajtur…ndërtimet”.
At Kristaq Subashi: “Ne si komunitet ortodoks kemi vlera të veçanta, të cilat na bëjnë neve që të jemi më të përgjegjshëm dhe të punojmë më shumë për ta pasuruar, për ta ruajtur dhe për t’i ngritur më lartë këto vlera të rëndësishme”.
Me futjen në listën e pasurive të trashëgimisë botërore Berati do t’i nënshtrohet një faze të re investimesh, çka mund ta kthejë qytetin në një nyje të rëndësishme të turizmit kulturor.
Berat Petrika: “Jemi duke restauruar mure, porta, fasada në qendrën historike. Ka filluar tashmë restaurimi i pesë banesave në lagjen Gorricë dhe kohët e fundit shteti ka hartuar dhe një fond të konsiderueshëm mbi restaurimin e teqesë së Abaz Aliut në malin Tomor me një çmim të konsiderueshëm. Njëkohësisht do të fillojë edhe restaurimi i kishës së Shën Mëhillit në lagjen Mangalem”.
Futja e Beratit në UNESCO sipas qytetarëve është kurorëzimi i punës disavjeçare të institucioneve si dhe dashurisë dhe kontributit të dhënë nga vetë ata./tvklan.al