Drejtuesit e mjeteve ankohen për orët e pritjes në trafik

Drejtuesit e automjeteve duhet të presin edhe mbi 1 orë në hyrje të Tiranës për shkak të trafikut kilometrik që krijohet. Punimet që kryhen në ish-rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja” kanë ulur numrin e korsive, duke e vështirësuar kalimin në këtë segment, sidomos në orët e mëngjesit dhe të paradites.

Një numër i lartë automjetesh që i drejtohen kryeqytetit bllokohen çdo ditë në mbikalimin e ish-sheshit “Shqiponja”. Shkak i trafikut është ngushtimi i rrugës nga punimet e Unazës së Madhe, si dhe mungesa e një kalimi alternativ që mund të shmangte këtë situatë. Për drejtuesit e makinave kjo është kthyer në një problem, sidomos për ata që duhet ta përshkojnë këtë segment çdo ditë.

Sa kohë ke me trafik?

40 minuta.

Nga po vjen?

Nga Kamza.

40 minuta nga Kamza deri këtu?!

Po.

Po cili ishte problemi?

Po trafiku, këto punimet.

Kam 45 min që pres në hyrje të Tiranës. Po vij nga Rinasi. Në total shkoi 1 orë e 30 minuta.

Nga Gjirokastra erdha për 2 ore e 30 min, tani 1 orë pres këtu.

E vështirë duket situata edhe për këtë ambulancë, ndonëse sinjali i saj njofton një emergjencë. Menaxhimi i trafikut është po aq i pamundur për efektivët e policisë.

Shoferët kërkojnë rrugicat për t’ju shmangur trafikut, po kjo nuk është një zgjidhje përsa kohë që ka një numër të lartë automjetesh që bllokojnë çdo kalim. E vetmja që do të lehtësonte trafikun do të ishte një rrugë alternative që makinat të kalonin gjatë periudhës së punimeve, po në mungesë të saj shoferët do të vijojnë të humbin kohën në hyrje të Tiranës.

Tv Klan