Gjatë prezantimit të Kalendarit Turistik të Eventeve “TEA 2.0”, Kryeministri Rama u ndal tek bilancet pozitive të muajve të parë të këtij viti dhe synimet për të ardhmen.
“Monumentet historike dhe sitet arkeologjike vetëm në katërmujorin e parë të vitit janë vizituar nga 182 mijë vizitorë, ndërkohë që parqet tona kombëtare janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se kjo ishte një shifër e paimagjinueshme deri pak vite më parë.
“Transformimi i vendit është i pakthyeshëm dhe deri në vitin 2030 “Shqipëria pa asnjë dyshim do të rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit.”
Për të patur një sezon turistik të suksesshëm, Rama u shpreh se edhe disa nga investimet infrastrukturore kanë një rol të rëndësishëm.
“Kemi një sezon të ri, që hapet me disa vepra të mëdha të infrastrukturës që u vihen në dispozicion udhëtarëve dhe turistëve, duke filluar nga Tuneli i Llogarasë, një ide e vjetër, një zotim legjendar i të gjithë forcave politike gjatë fushatave elektorale, i cili këtë sezon do jetë i kalueshëm për ata që shkojnë në jug, duke vazhduar me rrugën e re Orikum-Dukat, që zbulon një pjesë tjetër të panjohur të trupit të mrekullueshëm të Shqipërisë, duke vazhduar me aksin Thumanë-Kashar, një aks i rëndësishëm dhe për vetë faktin se prurja e lartë e automjeteve nga veriu drejt Tiranës dhe më tutje drejt jugut, në sezonit turistik bëhet e papërballueshme.”
Ndërsa Ministrja Mirela Kumbaro u ndal edhe tek sukseset në shifra të turizmit dhe promovimin e vendit tonë në rrjetet sociale.
“Hashtagu #Albania në krye të klasifikimit të videove të TikTok duke krijuar më shumë se 3,8 milionë postime, na e përforcon bindjen se në gjithë format e promovimit, patjetër na duhet të fokusohemi tek dixhitalizimi.”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh se rekordi i turistëve të 2023, u përkthye në më shumë të ardhura në ekonomi.
“Të ardhurat e siguruara prej tyre arritën në 4.2 miliardë euro. Në fakt, referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ishte vendi i katërt në botë për ritmin e rritjes së turizmit gjatë vitit 2023.Tashmë, të ardhurat nga turizmi janë rreth nivelit 20% të PBB-së.”
Duke iu referuar sektorit të turizmit, Ministri Blendi Gonxhja nënvizoi se dikasteri i tij ka mbështetur një numër shumë të madh eventesh.
Platforma digjitale e Turizmit “TEA 2.0” është kthyer në një udhërrëfyes jo vetëm të eventeve në destinacionet turistike të Shqipërisë, por edhe me shumë njësi shërbimi për të gjithë turistët.
Klan News