Në një takim me studentë të Arkitekturës në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ka pohuar se buxheti 5% për arsimin ishte një premtim elektoral i vitit 2013, të cilin nuk e kanë realizuar dot.

“5% i buxhetit ka qenë angazhim i yni i vitit 2013, një ambicie. Dhe nuk e kemi realizuar dot për 1001 arsye që s’do rri t’ju a shpjegoj”.

Ndërsa në vitin 2017, Rama tha se ky nuk ka qenë premtim elektoral, pasi 5% e buxhetit për arsimin është një projekt afatgjatë që për momentin nuk mund të realizohet.

“Në vitin 2017 nuk e kemi më këtë si program afatshkurtër sepse është i pabëshëm. Për shkak se kemi bërë një politikë shumë agresive të uljes së taksave për ata që fitojnë më pak, prandaj kjo nuk bëhet. Kaq e thjeshtë është”.

Sipas Kryeministrit, mosrealizimi i 5 përqindëshit të buxhetit për arsimin vjen si pasojë e uljes së taksave, çka do të thotë më pak të ardhura për buxhetin e shtetit. Sa i përket përgjysmimit të tarifave, Rama sqaroi se 75% e buxhetit për Universitetet financohet nga shteti, ndërsa 25% plotësohet nga taksat që paguajnë studentët.

Tarifat tuaja janë mesatarisht 25% e asaj që kushtoni ju. Problemi i parë që ka me tarifat është se ju dini pjesën që paguani ju, s’dini pjesën që paguan shteti. Dhe kjo tani do të bëhet publike. 75% kontribuon shteti mesatarisht. Dhe tarifat as nuk përgjysmohen, as nuk zerohen. Tarifat vetëm mund të subvencionohen. Sot ju me tarifën tuaj mbuloni 25% të kostos tuaj. Kaq i kushton këtij Universiteti një student. E dyta, edhe për masterin do t’u kërkojmë taksapaguesve të financojnë ekselencën dhe ata me ndihmën ekonomike, jo të gjithë. Sepse nuk është e mundur.

Rrogat janë të ulëta, por taksat janë edhe më të ulëta.

Ky vend e takson punën 5.5% mesatare. Gjermania 48-52%. Në momentin kur një vend ka kapacitetin të taksojë gjysmën, ka kapacitetin të financojë shumë më tepër. Në momentin kur një vend bën një zgjedhje dhe thotë nuk kam kapacitetin të taksoj”

, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Edhe në këtë takim të kryeministrit Rama, nuk mungoi braktisja e studentëve të Ariktekturës dhe Urbanistikës nga auditorët. Kreu i qeverisë gjatë gjithë takimit me ta nuk nguroi të kritikonte sjelljen e tyre duke ju thënë se nuk po respektonin fjalën e tij si dhe pedagogët.

/tvklan.al