Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar serish kryeministrin Sali Berisha, si autor të asaj që Rama e cilësoi maskarade dhe bashkëpunimit pushtet krim.
Rama iu referua fakteve që selia roze ka shpallur publikisht për nxjerrje nga burgjet të eksponentëve të krimit ditën e zgjedhjeve.
Kryesocialisti e ngriti këtë si një çështje me rendësi që sikurse tha ka vënë në rrezik demokracinë në vend.
Edi Rama: “Sali Berisha duhet ta kuptoj se nuk i shpëton dot transparencës së plotë lidhur me këtë çështje duke i inkuadruar në çështje të procedurës administrative, sepse është ai vetë që e ka orkestruar të gjithë këtë maskaradë dhe janë autoritet më të larta të pushteti tij që e kanë organizuar hapjen e burgjeve me autorizime tërësisht të pa ligjshme për të përdorur autoritetin mafioz të një lukunie kriminelësh. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku parlamenti e qeveria lindin nga bashkëpunimi me autoritet e krimit”.
Rama tha se mbi këtë çështje PS do të kërkojë transparence të plote. Konferenca për shtyp u fokusua dhe në zhvillimet brenda PS.
Në akuzat e anëtarit të kryesisë Ben Blushi, për mungese transparence lidhur me opsionin për braktisje të kuvendit nga PS, por Rama tha se vendimmarrja politike në kongres e paralajmëroi një zhvillim të tillë.
Edi Rama: “U shpreh bindjen se zgjedhje të parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pa kontestueshëm politik të parlamentit dhe mandat politikisht legjitim të qeverisë vendit. Duke shprehur këtë, kongresi e ka përcaktuar shumë qartë parlamentin e Shqipërisë si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar, çka do të thotë se ky parlament nuk mund të jetë teatri i një farse demokratike dhe me këtë parlament PS duhet dhe do të ketë raporte të kushtëzuara nga fillimi deri në fund”./tvklan.al