Shkolla e rindërtuar “Babë Dudë Karbunara”, një shkollë simbol në qytetin e Beratit, ka hapur dyert për 600 nxënës me standarde bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Ogerta Manastirliu inauguruan këtë institucion arsimor si pjesë e projektit kombëtar “Shkolla 2030”. Në fjalën e tij Kryeministri Rama nënvizoi se arsimi në vend do të shkojë në një nivel tjetër.
Edi Rama: Bindja ime është se ne e kemi energjinë, kemi kurajën, kemi eksperiencën, por mbi të gjitha kemi edhe dëshirën e jashtëzakonshme që duke i bërë gjërat më mirë, ta çojmë në një nivel tjetër jo vetëm arsimin, por Shqipërinë e cila në 2030-ën duhet të vendosë flamurin kuq e zi të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe flamurin për të cilin luftoi edhe Babë Dudë Karbunara dhe të gjithë patriotët e tjerë, aty në oborrin e familjes europiane.
Rama vlerësoi kontributin e mësuesve ndër vite në arsimin shqiptar.
Edi Rama: Inkurajim dhe frymëzim sa herë që sjell rasti të takosh mësues dhe mësuese në pension sepse kanë një energji dhe një pasion që është pak më e vështirë të lexohet tek mësuesit në aktivitet.
Sipas Kryeministrit Rama mësuesit e dalë në pension do të angazhohen me orar të reduktuar në arsimin profesional.
Edi Rama: Kemi shumë mësuese dhe mësues në pension që mund t’i ftojmë të angazhohen me orar të reduktuar në një përkujdesje të veçantë që ka të bëjë me mbikëqyrjen dhe në lehtësinë që duhet të ketë në aspektin e komunikimit procesi i punës së nxënësve të arsimit profesional.
Ministrja Ogerta Manastirliu vuri në dukje se ky vit i ri shkollor ka sjellë mbështetje të mësuesve që sipas saj janë shtylla e sistemit tonë arsimor.
Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Premtimi për rritjen e pagave të mësuesve është bërë realitet për 31 mijë mësues. Paga mesatare e mësuesve tanë sot është 950 euro. Ne do të vijojmë me rritjen e pagave, por ky ishte një kapërcim historik, sepse të investosh te mësuesit do të thotë të investosh te e ardhmja, te fuqizimi i kapitalit njerëzor, te dijet që ata përcjellin. Dhe sot, në nisjen e këtij viti të ri shkollor, mësuesit tanë janë më të motivuar, më të frymëzuar.
Shkolla e rindertuar “Babë Dudë Karbunara” ka shtuar hapësirat mësimore, laboratorë për lëndët shkencore, bibliotekë, dhe një palestër moderne për aktivitetet sportive.
Klan News