Për të thyer çdo paragjykim mbi arsimin profesional, në podkastin e radhës Kryeministri Rama solli shembullin e disa prej vendeve më të zhvilluara të botës, të cilat prej dekadash e kanë kthyer në bazë suksesi këtë sektor.
“Arsimi profesional është sot baza e suksesit të Gjermanisë, Zvicrës, apo Austrisë, dhe ndërkohë, është ende zonë jo shumë e kërkuar dhe ende e paragjykuar nga shumë prindër. Sot nxënësit e arsimit profesional punësohen më lehtë, është gjynah që të mos ketë më shumë shtysë drejt arsimit profesional. Jo si një student që shkon dhe punon kamerier”, tha Rama.
Që pas shpalljes prioritet të arsimit profesional, Kryeministri e vuri theksin krahas orientimit drejt tregut të punës edhe tek nevoja e investimeve, kryesisht në rregullimin e godinave të konvikteve.
“Nuk mund t’i lëmë të jenë si fëmijë të kategorisë së dytë. Është e vërtetë që ka disa shkolla që nuk kanë kushtet ashtu siç duhet të kenë. Por në Tiranë, Durrës dhe Fier kushtet në shkolla janë pa dallim nga shkollat private madje edhe më mirë”, tha Rama.
Një ndër degët e arsimit profesional është edhe turizmi, për të cilin Rama tha se jemi në garë të fortë me fqinjët tanë që e kanë kthyer në industri këtë sektor.
“Turizmi është në një garë shumë të fortë me fqinjët, që janë shumë përpara nesh në shumë aspekte. Kjo është shumë shpresëdhënëse që të sistemojmë këtë pjesë me pagesë për nxënësit, pagesë për nxënës jo si punonjës. Dhe me garanci për prindërit që atje në sipërmarrje të bëjnë shkollën përmes praktikës dhe nuk janë punonjës që sipërmarrja mund ti trajtojnë ‘hajde goce çohu më mbush i çik ujë, ose hajde kap fshije këtë tani se je gocë e re”, tha Rama.
Në muajin Korrik, Kryeministri Rama prezantoi projektin pilot të sistemit dual në kuadër të reformës së arsimit profesional, sipas të cilit të rinjtë duhet të kryejnë 3 ditë në javë praktikën pranë një biznesi dhe vetëm dy ditë mësim teorik pranë shkollës profesionale. Për 18 orë në javë ata do të paguhen sa paga minimale.
Tv Klan