Kryeministri Edi Rama e ka gjetur të pabazuar në rregullore kërkesën e kreut të deputetëve demokratë Gazment Bardhi për një interpelancë në parlament mbi akuzat e përfshirjes së vëllait të tij në laboratorin e kokainës së Xibrakës.
“Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv/kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur”.
Në një reagim të gjatë në rrjetin X, Rama thotë se Bardhi duhet të presë përgjigjen e SPAK pas padisë që vëllai i tij Olsi Rama ka bërë për shpifje.
“Kësisoj, Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri. Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik. Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallëzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant”.
Kreu i qeverisë thotë se për të njëjtat akuza ka fituar një gjyq për shpifje ndaj Lulzim Bashës.
“Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë”.
Rama nënvizon se nuk mundet që gënjeshtrat e thëna publikisht të kthehen në pyetje për të dhe se i takon akuzuesit të sjellë prova për pretendimet e tij.
“Vetëm kush e di se si i zvarrisin proceset për shpifje, se ç’raporte mjekësore paraqesin avokatët e tyre kur s’paraqiten, se ç’broçkulla për padijeninë e klientëve të tyre nxjerrin si justifikime, se ç’përpjekje bëjnë para gjykatës për t’ia lënë politikës fajin që ua nxori gjuhën jashtë kontrollit këtyre gjasmepolitikanësh, e kupton deri në fund se me ç’lehtësi të patregueshme tallen tërë ditën e perëndisë me hallexhinjtë që i votojnë e i dëgjojnë!
Rama thotë se në gjykatë do të ketë një padi të re dhe avokatëve të akuzuesve do t’u duhen raporte të reja për të vonuar pa e shmangur dot fajësinë e klientit të tyre para ligjit.
Tv Klan