Edi Rama ka vijuar sërish të trokasë derë më derë për të kërkuar pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e 20 Nëntorit.
Kryesocialisti, i cili ka zgjedhur njësinë bashkiake nr.6 në Kombinat për rrugëtimin e tij, i ka kërkuar banorëve të protestojnë për të rrëzuar qeverinë, të cilën ai e quajti të korruptuar.
Edi Rama: “Në paturpësinë më të madhe, por që fatkeqësisht e karakterizon Sali Berisha kërkon të bindë më kot shqiptarët se përpjekja jonë për liri e drejtësi në këtë vend duke filluar nga liria e drejtësia e zgjedhjeve, na qenke kundër vizave, kundër integrimit. Ndërkohë që hapja e kutive është rruga drejt integrimit, është rruga për tu çliruar përfundimisht nga zgjedha e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuar. Është rruga për t’i dhënë çdo qytetari e qytetareje dinjitetin e vet.”
Partia Socialiste ka deklaruar se protesta e nesërme është vetëm fillimi i një vale të re.
Eduard Shalsi: “Ose ky pushtet do t’i hapë kutitë ose ne do ta shpallim këtë pushtet të paligjshëm dhe do të kërkojmë dhe do të luftojmë për të ofruar fundin e tij nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.”/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka