Në një takim mirënjohjeje dhe falenderimi me ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës sot në pension, Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria po punon për rritjen e fondit të pensioneve.
“Jemi në procesin e përgatitjes së një rritje të fondit të pensioneve, qoftë duke rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore, por qoftë edhe duke rritur buxhetin në dispozicion të pensioneve…”
Sipas Ramës, rritja ekonomike dhe e të ardhurave në Shqipëri janë sinjale pozitive për të mundësuar rritjen graduale të pensioneve, ndërsa synohet që bonusi i pranverës të jepet çdo vit.
“Ne duam të kthehet në një mundësi të vitpërvitshme…”
Rritja e pagës mesatare në sektorin publik në 987 Euro për Ramën është një ndihmë më shumë.
“Çdo pagë e rritur është garanci për fondin e sigurimeve shoqërore. Aty ku rritet një pagë, ka një përfitim më shumë për pensionistët.”
Në fjalën e tij, Rama nuk la pa shigjetuar edhe premtimet e opozitës për rritjen e pensioneve.
“Sot e gjithë ditën ju thonë “ne do ju bëjmë pensionet 500 Euro, ne do jua bëjmë pensionet 1 mijë Euro” shesin qilima fluturues si qilimat e Sudes dhe të Rrapushit dhe këtu është edhe dallimi. Në fund të ditës, pensionistët që nga viti 2014 e deri më sot, janë trajtuar si të nënës. Ndërkohë që përpara janë trajtuar si të njerkës. Ky është dallimi.”
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë foli edhe për konferencën e tretë ndërqeveritare që pritet të mbahet të martën, ku shprehu besimin se do të hapet një tjetër grupkapitujsh negociatash.
Gjatë falenderimit të ish-punonjësve të intitucioneve të sigurisë, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha përmendi angazhimin për mbështetjen e pandërprerë ndaj tyre.
“Qeveria është angazhuar për rritjen e pensioneve duke nisur nga ato me të ulëtat, përmirësimin e shërbimeve për pensionistët…për një cilësi më të lartë jetese…”
Falë përkushtimit të punonjësve në drejtim të sigurisë, sipas ministrit, numri i vrasjeve në krahasim me vitin 2013 është ulur me tre herë.
Tv Klan