Kryeministri: Korridori Jugor e ka bërë Europën më të sigurtë
Studimi i gazifikimit të zonës së Korçës ka përfunduar dhe nga qeveria shqiptare konsiderohet si hapi i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në vendin tonë.
Ndërkohë një tjetër studim, ai i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës, është në përfundim, ndërsa ka nisur investimi për vënien në punë dhe zgjerimin e kapaciteteve të këtij TEC-i.
Të gjitha këto përpjekje për gazifikimin, Kryeministri Edi Rama dhe numri dy i qeverisë Belinda Balluku i kanë prezantuar në samitin e Korridorit Jugor të Gazit që është mbajtur në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit.
“Me përqindjen e gazit rus në BE që po bie nga 40 % aktualisht në 8 % dhe së shpejti në 0 % dhe në axhendën e gjelbër dhe në përpjekjet për shkarbonizim në pikën më të lartë, gazi i Azerbajxhanit dhe rajonit Kaspik janë thelbësor për të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
“Krijimi i infrastrukturës së gazit dhe krijimi i një mundësie për të pasur burime alternative sigurisht do t’i jepte Shqipërisë, por edhe rajonit, një siguri më të lartë energjetike”, tha zv/ministrja Balluku.
Sipas Kryeministrit, diskutimi që duhet të marrë udhë nga të gjitha vendet që janë pjesë e Korridorit Jugor të gazit është ai për përdorimin e hidrogjenit.
“Përqafimi i hidrogjenit të gjelbër çel mundësi të reja ekonomike, nxit novacionin, kërkimin dhe zhvillimin në sektorin e energjisë së pastër dhe së fundmi e pozicionon Korridorin si një nismë largpamëse”.
Gjatë qëndrimit në Baku, siç pohon dhe zv/Kryeministrja, janë nënshkruar disa marrëveshje ekonomike por dhe vendimi për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Tv Klan