E shtuna e gjen Edi Ramën mes shqiptarëve të Amerikës, nga ku do të rinisë turin e takimeve “Krenar për Shqipërinë”. Në rrjetet sociale Kryeministri ka postuar edhe një video në të cilën shfaqet logoja e eventit në Time Square, ndërkohë që pamjet janë ndjekur edhe në 7Avenue 38th Street Manhattan. Rama shkruan se vetëm përmes fuqisë së bashkimit, Shqipëria do ja dalë të ngrejë flamurin kuq e zi në BE.
“Në Nju Jork për takimin me shqiptarët e Amerikës; krenar për Shqipërinë që sot përflitet me fjalë të mira kudo në botë dhe plotësisht i vetëdijshëm për sfidat e jashtëzakonshme të rrugës drejt majës së 2030-ës, kur me fuqinë e bashkimit tonë përtej gardhit të sherrnajës së oborrit politiko-mediatik të Tiranës, do të ngremë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian”.
Në këtë takim ku pritet të marrin pjesë rreth 2 mijë shqiptarë, do të këtë një fjalim krahas Kryeministrit, edhe Drejtuesi politik i Diasporës, Taulant Balla.
Turi i kryesocialistit me shqiptarët e Amerikës vjen 2 muaj përpara se të nisë procesi i regjistrimit të diasporës për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, që u mundësua pas bashkimit të votave mes maxhorancës dhe opozitës në muajin Korrik duke ndryshuar Kodin Elektoral në parlament.
Kryeministri i rikthehet turit me diasporën pas takimeve që zhvilloi në 12 dhe 26 Maj në Athinë e Milano, por për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Britani ai anuloi takimin e paralajmëruar në qershor, si dhe atë të Dyseldorfit, që përkonte me ndeshjen e kombëtares sonë në Europianin e Gjermanisë. Por këto dy vende janë pjesë e axhendës së takimeve që kryesocialisti do të ketë me shqiptarët e Londrës dhe Gjermanisë.
Sakaq është konfirmuar dhe një rikthim i Ramës në Greqi, ku në 3 nëntor pritet të takohet me shqiptarët e Selanikut.
Tv Klan