Kryeministri Edi Rama riktheksoi nga Selaniku se reforma në drejtësi nuk do të ishte realizuar kurrë pa Partinë Socialiste. Por nga ana tjetër, vlerësoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në këtë proces. Nuk kurseu ironitë për kryedemokratin Sali Berisha dhe opozitën në terësi.

Në fund dua t’ju kujtoj se nuk ka asnjë diskutim që pa mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së nuk do ia dilnim dot kësaj reforme sepse nuk do e nënshtronim dot rezistencën e paepur të atyre që ulërinë nga penxheret e kateve të larta. Por, të mendosh se kjo do mund të ndodhte pa PS-bë dhe të mendosh se Shqipëria sot ka një forcë shtetbërëse përveç PS-së, është si ajo shprehja merre me lëng se mishi mbaroi! Të ishte për ato forca të tjera dhe s’kam parasysh vetëm fytyrat e vjetra. Të gjitha llojet e fytyrave që u dalin para dhe ua bëjnë fushë me lule, janë maska të Sudes, si kulturë politike e qasje ndaj popullit. Si Sudja që pasi u zhyti në borxhe e u hodhi në humnerë doli e tha loja mbaroi!”, tha Rama.

Duke iu drejtuar shqiptarëve që jetojnë atje, kryeministri tha se “ata duhet ta mbajnë kokën lart sepse Greqia është shtëpia e tyre, po njësoj sa e grekëve”.

/tvklan.al