Teksa theksoi se qeveria socialiste e mbajti premtimin, kryeministri Edi Rama u kërkoi votën shqiptarëve të Selanikut, në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
“Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare këtu në Selanik. Sot është ditë e veçantë edhe për një arsye tjetër. Ju këtu nuk jeni thjesht bashkëatdhetarë me një të drejtë vote në Shqipëri që kush ka mundur e ka ushtruar duke marrë rrugën e duke ardhur atje. Ju jeni votues që për herë të parë do merrni pjesë në zgjedhjet parlamentare, këtu ku jeni, nga shtëpia juaj.
Ju e dini, më është dashur të përpiqem gjatë bashkë me të gjithë shokët e mi, me partinë tonë për ta bërë realitet këtë premtim të dhënë kohë më parë, të cilin nuk e mbajtëm dot për një kohë jo të shkurtër se pa marrë edhe votën e palës tjetër, ishte e pamundur. Unë mund t’ua them me plot gojë, se në pranverën e ardhshme ju kërkoj votën tuaj nga Greqia! Për ta bërë Shqipërinë e 2030-ës anëtare me të drejta të plotë në BE! Për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju shqiptarët të Europës u keni dhënë familjeve tuaja, mundësinë që të përfitojë të gjitha të mirat nga të jetuarit brenda familjes europiane. Bashkë me shqiptarët e Shqipërisë, me gjithë shqiptart e Europës e të Amerikës ta ngremë flamurin e Skënderbeut e Ismail Qemailit në Bruksel, brenda kësaj dekade!”
/tvklan.al