Pas gati një dekade nga nisja e punimeve më në fund mijëra besimtarë myslimanë do të kenë objektin e shumëpritur të Xhamisë së Namazgjasë. Mes qindra besimtarëve myslimanë dhe përfaqësues të myftinisë së Tiranës, Kryeministri Edi Rama dhe presideni turk Rexhep Taip Erdogan përuruan këtë objekt të rëndësishëm kulti.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës tha se hapja e xhamisë ishte e domosdoshme si pjesë e harmonisë fetare në vendin tonë.

Edi Rama: Nuk e harroj dot se sa vullnet i mirë u desh për ta pastruar truallin e Namazgjasë të kthyer në një shesh pazari të imponuar mbi hapsirën e lutjeve, shpresës dhe nevojës së besimtarëve për ta pasur ata tempullin e tyre qëndror në kryeqytetin e Shqipërisë njësoj si bashkëkombasit e tyre të besimit katolik, ortodoks apo bektashij.

Madje për te shuar edhe polemikat se Xhamia e madhe e Namazgjasë mund të drejtohej nga një imam turk, Rama tha se ajo do drejtohet nga myftiu i Tiranës, Gazmant Bilal Teqja.

Edi Rama: Qoftë e mbarë dhe këmba e kryemyftiut të Tiranës, Bilal Teqja që nga sot do të jetë kryekujdestari i këtij tempulli dhe ju priftë e mbara myslimanëve të gjithë Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na ndihmoftë në rrugën tonë në majë të ngremë flamurin për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Simbol të vëllazërisë dhe solidariteti mes dy popujve e quajt këtë objekt kulti presidenti turk, duke thënë se do tu shërbejë mijëra besimtarëve.

Recep Tayyip Erdogan: Xhaminë e madhe të Namazgjasë e kemi projektuar si një strukturë që në brendësi mbart vlerat dhe na integron për vlerat e lashtësisë dhe deri tek teknologjia më e re që është përdorur, serviret edhe arkitektura osmane islame. Në 10 mijë metra katrorë ndërtim ndërthuren kulturat e vendeve tona dhe do tu shërbejë 10 mijë besimtarëve. Xhamia e Namazgjasë do të jetë simboli i miqësisë, vëllazërisë dhe solidaritetit mes nesh.

Xhamia e Namazgjasë veç se një objekt kulti është edhe një qendër multifunksionale e cila do të ketë ambiente për mësimin e fesë islame, sallë konferencash por dhe muzeut e harmonisë fetare.

Klan News