Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Londra votën e shqiptarëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pikërisht nga kryeqyteti britanik, ai tha se “fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë një fitore përfundimtare”, sipas tij “edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe nga pengmarrja“.
“Nëse ju, shqiptarët e botës së lirë do të merrni pjesë masivisht në zgjedhjet e ardhshme dhe do t’i shtoni peshën e vendimmarrjes tuaj shumicës së shqiptarëve të Shqipërisë, për Shqipërinë 2030, shtet europian në BE, atëherë po ju them, përballja e ardhshme elektorale nuk do të jetë vetëm vendimtare, por do të jetë përfundimtare! Pa kthim të mundshëm mbrapa për shtet bërjen dhe progresin, për drejtësinë dhe ekonominë. Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet dhe unë kam besimin që nuk do jetë, fitorja e radhës e një partie ndaj të tjerave. Por duhet të jetë triumfi i një vizioni për botën, duhet të jetë triumfi i një kuptimi për vlerat njerëzore të respektit”.
“Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë një fitore jo një fitore vendimtare, por një fitore përfundimtare, edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe nga pengmarrja për hallet e disa udhëheqësve të diskretituar nga historia”./tvklan.al