Kryeministri Edi Rama ka folur për Tv Klan nga Viena, një ditë para mbledhjes së OSBE për krizën në Bjellorusi.
Në cilësinë e kryetarit të OSBE, Kryeministri Rama ka thënë për gazetaren e Tv Klan Elja Zotka se nisma e presidencës shqiptare të OSBE për krizën në Bjellorusi mori vëmendje të shtuar.
Sipas tij, OSBE nuk do të luajë rolin e negociatorit, por synon të krijojë kushtet me qëllim uljen në tryezën e bisedimeve të qeverisë dhe opozitës bjelloruse.
“Kjo është përpjekje e OSBE. Mua më vjen mirë që nisma jonë mori vëmendje të tillë dhe mori mbështetje kaq të madhe. Është përgjegjësi shumë emadhe, por edhe që shkon në drejtim të një procesi ku OSBE nuk do të jetë ndërmjetëse apo negociatore, por do të jetë lehtësuese e një procesi komunikimi mes palëve që mungon plotësisht dhe që është i domosdoshëm në Bjellorusi”.
Sa i përket kritikave të opozitës shqiptare për ndërmjetësimin e kësaj krize në Bjellorusi nga Rama, kur edhe në Shqipëri ka akuza për vjedhje votash, Kryeministri dha këtë përgjigje: “Nuk është asgjë e re që opozita në Tiranë është mësuar të bëjë në gjuhë të huaj. Pra kur bëhet fjalë për angazhime jashtë Shqipërisë, është një turp i madh që për fat edhe më të keq, nuk e bën asnjë opozitë në Europë. Është turpi i tyre, unë jam mësuar. Këtu nuk është fjala për mua, këtu bëhet fjalë për Shqipërinë, këtu është fjala për përfaqësimin sa më dinjitoz të Shqipërisë dhe mua më vjen shumë mirë, jam shumë krenar që ne kemi arritur që me Kryesimin tonë të OSBE, ta vendosim edhe Shqipërinë në një fokus tjetër dhe të rrisim respektin e partnerëve për Shqipërinë si një lojtar që kur merr një detyrë edhe në arenën ndërkombëtare, e luan me sukses”. /tvklan.al