Nuk kanë qenë gjithmonë dakord, por kjo veçse e ka bërë perfekt raportin mes tyre. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama këtë të premte gjatë dorëzimit të detyrës së Sandër Lleshaj, të cilin përveç se e pati ministër në mandatin e tij të dytë, ka bashkëpunuar me të pasi e ka pasur këshilltar.
Me ish-ministrin dhe këshilltarin e tij Rama tha se sfida ka qenë gjithnjë intelektuale dhe se mendimet e shprehura mes të dyve kanë qenë gjithnjë të sinqerta.
Sandër Lleshajn, kryeministri e sheh si një dëshmitar që tregon se si ai vetë tërhiqet kur vjen fjala tek argumentet e kundërta në një debat.
“Kam pasur fatin dhe kënaqësinë të punoj relativisht për një kohë të gjatë se koha për këtë detyrë është më e gjatë se kur nuk ke punë. Në të dyja pozicionet, qoftë nëpërmjet këshilltarit dhe ministrit më ka dhënë kënaqësi puna me Sandrin sepse ka qenë një sfidë intelektuale në radhë të parë në ballafaqimin e opinioneve, në sinqeritetin e shprehjes së mendimeve. Kemi pasur dakordësi të vazhdueshme për të mos qenë gjithnjë dakord që raporti të jetë perfekt. Përkundrazi raporti ka qenë dhe është perfekt për shkak se kur nuk kemi qenë dakord kemi vijuar të komunikojmë dhe të krijojmë dakordësi duke pasuruar njëri tjetrin. Sandri besoj që një ditë do ta dëshmojë se e ka dhe me eksperiencë personale që ndryshe nga ç’dukem jam nga ata që tërhiqen më shpesh sesa tërhiqen të tjerët para kur është fjala për argumentet e kundërta”, u shpreh Rama.
Sandër Lleshaj u dorëhoq nga posti i Ministrit të Brendshëm pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie. Në vendin e tij është emëruar Bledi Çuçi./tvklan.al