Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka ftuar naftëtarët që të ndërpresin grevën pasi është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me ta për shkak të problematikave të tyre.
Rama thotë se greva është e panevojshme pasi qeveria është e ndjeshme ndaj problemeve të tyre. Mirëpo ai u bën thirrje që të mos vendosin presione dhe ultimatume pasi ato nuk funksionojnë në asnjë familje.
“U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja! Ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t’ua qajnë ata që ua shkaktuan! I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu! Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm”, shkruan Rama.
Naftëtarët qëndrojnë të ngujuar në uzinë pasi kërkojnë pagat e prapambetura dhe një garanci nga shteti e kompania për rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit me kontrata individuale. Përveç naftëtarëve, pas 18 ditësh në grevë hynë edhe gratë dhe koleget e tyre. Janë 20 gra që qëndrojnë në grevë urie. Ato thonë se do të sakrifikojnë jetën derisa të marrin zgjidhje./tvklan.al