Podcast-in e kësaj të Shtune kryeministri Edi Ram ia kushtoi çeljes së negociatave për grup-kapitujt e parë të anëtarësimit në BE duke e konsideruar si një ditë historike për Shqipërinë. Në bashkëbisedim kishte të ftuar Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdenin e cila është edhe zëvëndëskryenegociatore.
“Bashkimi me Europën është një rrugë me dy korsi: korsia e punës së përditshme të reformave, masave dhe vlerësimeve faktike dhe teknike që bëhen në Komisionin Europian dhe është korsia politike, sepse ajo është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objektive.”
Bindja e kryeministrit është se anëtarësimi do të bëhet brenda kësaj dekade.
“Ne jo vetëm për arsye politike dhe mënyrës se si funksionon Europa, por thjesht dhe vetëm se kemi këto kapacitete, do ta arrijmë këtë brenda kësaj dekade. Jam i bindur 100%”.
Gjatë bisedës ata sollën në vëmendje rëndësinë dhe përfitimet që vijnë nga ky proces.
“Fëmijëve tanë do t’u jepet mundësia të jenë pjesë e Europës, një familje që ndan të ardhurat…S’do kenë më tarifa shtesë.”
Ata u ndalën edhe te prokurimet publike, ku Shqipëria sipas tyre renditet e para në rajon.
Për Ramën BE nuk është perfekte, por është rruga e vetme për Shqipërinë dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.
“BE, patjetër që nuk është perfekt. Ka nevojë për t’u rimenduar në funksion të projektit të hedhur nga themeluesit, pra duhet thelluar se është projekt i papërfunduar. Për ne, në asnjë drejtim përveç se në BE, nuk mund të ketë garanci në breza për liri individuale”.
Mes batutash Rama e konsideroi këtë proces si një rrugëtim të pakthyeshëm.
“Që do martohemi, kjo punë ka marrë fund!”
Synimi i qeverisë është që Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian brenda vitit 2030, si një kurorëzim i mandatit të 4-rt të qeverisë socialiste.
Klan News