Sipas kryeministrit Edi Rama, gjykatësi që ka vendosur masën shtrënguese për Erion Veliajn e ka bërë “për çështje të opinionit publik”. “Rëndoni masën që ta besojë opinioni. Është çështje e jona, e zgjedhjeve, jo e gjykatësit!”, tha Rama mëngjesin e sotëm gjatë komunikimit online.
Pati një përgjigje edhe për thirrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor “që të mos bëhen deklarata apo citime në formë trysnie për gjyqtarët e GJKKO”.
“Mirë bëjnë ata që flasin, trysnia, po ç’a thashë unë?! Paraburgimin…e ka thënë Këshilli i Europës, regjistrimet audio-vizuale të intervistave me personat që pyeten, përbëjnë një mbrojtje të rëndësishme kundër keqtrajtimit, intimidimit dhe në princip thotë ato duhet të mbulojnë të gjitha fazat e pyetjes së personave. Komiteti për Parandalimin e Torturës e inkurajon Shqipërinë ta shtrijë këtë intervistim në të gjithë personat e ndaluar. Është standard demokratik! 3342 punonjës që paguhen nga buxheti i shtetit në institucionet e ligjit dhe në vitin që lamë janë akorduar 1.2 miliardë.
Tani çfarë duhet të bëjmë ne, të pranojmë që akoma të merren dëshmitë me orë të tëra dhe në fund të të japin letra të thonë firmosi?! Pasi të intimidojnë e të tregojnë se ku të punon babai, e të të thonë lloj lloj gjërash… Si mos flasim ne për këto, s’janë sulme, janë thirrje për standarde! Si mor merren sikur janë kriminelë, kaq kollaj qenka kjo?! U merren njerëzve telefonat dhe u mbahen peng, çfarë standardi demokratik është? I sheh gjithçka brend adhe madje shantazhon edhe për biseda krejtësisht intime. SPAK-u nuk është Vatikani, është institucion i ri. Mund të bëjë dhe gabime, patjetër!”, tha kreu i qeverisë.
Ai deklaroi se “është këtu për të bërë historinë, pa iu dridhur qerpiku”, duke theksuar se “do e çojë Shqipërinë në tryezën e BE-së”.
/tvklan.al