Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, feston ditëlindjen sot teksa mbush 48 vjeç. Ajo ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe ku merr pjesë në samitin e energjisë.

Atje ndodhet edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka vendosur t’i bëjë një dhuratë homologes së tij italiane. Ai i ka dhuruar një shami teksa nuk ka ngurruar edhe ta komentojë mbrapa pasi ia vendosi Melonit në kokë.

“Me sheiken”, i thotë Rama.

Me shaka Meloni i ka thënë se “duhet të ndalojë me këtë histori” ndërsa më pas e ka përqafuar kreun e qeverisë shqiptare. Rama i ka shpjeguar Melonit se shalli është prodhuar nga një italian që vite më parë u zhvendos në Shqipëri, ndërsa tani ka marrë edhe nënshtetësinë shqiptare.

Meloni dhe Rama njihen në publik për marrëdhënien e tyre të afërt, ndërsa siç edhe e theksojnë mediat italiane, shpesh kreu i qeverisë shqiptare i referohet homologes së tij si “motër”.

Kujtojmë se ditën e sotme në Abu Dhabi do të finalizohet një marrëveshje trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë e Italisë si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri./tvklan.al