Pas bojkotit të parlamentit socialistët kanë vendosur të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre ndaj zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Kryetari Rama, i rizgjedhur pak ditë më parë në këtë detyrë, ka paralajmëruar protesta dhe ka ftuar socialistët të dalin në rrugë me 10 Tetor.

Edi Rama: “Vullneti i mbrapshtë për të mos lejuar hapjen e kutive ku mbahet mbyllur në mënyrë të paligjshme e vërteta e 28 qershorit e vendosin tërë opozitën shqiptare para detyrimit patriotik që të bashkohet në një front proteste kundër këtij pushteti të ngritur mbi manipulimin, korrupsionin elektoral dhe mashtrimin publik. Partia Socialiste i fton të gjithë të shtunën e ardhshme, 10 tetor në manifestimin parë të protestës për hapjen e kutive ët votimit ku fshihet e vërteta e 28 qershorit. Sali Berisha gënjen veten në qoftë se mendon se do ta shtyjë gjatë duke bërë shurdhin dhe duke ftuar opozitën të hyjë në parlament pa plotësuar kërkesën e saj elementare për hetimin e një procesi zgjedhor që s’duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen.”

I pyetur nga televizioni Klan për thirrjen që ditët e fundit ambasadoret Bosh, Lohan e Boshard i bene opozitës për të hyrë në kuvend, Rama tha se pavarësisht këshillave të ndërkombëtareve, Partia Socialiste do ta vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentit.

Edi Rama: “I falënderoj edhe për shqetësimin e deklaratat aktuale. Ndaj me ta mendimin se vendi i duhur për dialogun politik në një demokraci normale është parlamenti dhe mezi pres që të plotësohen kërkesat tona normale për të hyrë në parlament. Po për sa kohë nuk ka asnjë vullnet nga pala në pushtet për të lejuar hetimin, për t’i hapur kutitë, për të na dhënë mundësinë për të luajtur rolin tonë normal njësoj si një demokraci normale në parlament, ne do të ndjekim rrugën alternative duke u frymëzuar nga shembulli i shkëlqyer të historisë të vjetër dhe të re të botës demokratike ku miqtë dhe partnerët tanë jetojnë dhe ku ne duan të integrohemi.”

Ndërsa interesit të gazetareve për rrjedhjen më të fundit nga grupi parlamentar socialist, largimin e deputetit të Vlorës Shpëtim Idrizi i është përgjigjur në këtë mënyrë:

Edi Rama: “Faleminderit.”/tvklan.al

Gazetarja: Elja Zotka