Një investigim paragjykues për Shqipërinë e ka konsideruar kryeministri Edi Rama reportazhin e “Rai 3”, gjatë një interviste të dhënë për “Corriere della Sera”.
Kreu i qeverisë shqiptare thotë se material i publikuar nuk ishte gjë tjetër veçse një steriotik i tmerrshëm i krijuar ndër vite ndaj vendit tonë.
Edi Rama: Miqtë e mi në opozitën në Itali duhet të interesohen për shkaqet dhe të përpiqen që të kuptojnë se dinjiteti dhe transparenca janë të rëndësishme si kur flitet për shërbimin publik italian dhe kur bëhet fjalë për institucionet publike shqiptare. Unë kam për detyrë të mbroj vendin tim nga steriotipi i tmerrshëm i një epoke tjetër të krijuar nga mediat në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kreu i qeverisë shqiptare mohon të ketë pasur një komunikim me homologen italiane, ndërsa këmbëngul se qëllimi i reagimeve të tij të njëpasnjëshme lidhet vetëm me mbrojtjen e interesave të vendit.
Edi Rama: Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe pse vendi im u bë si një objektiv i sulmit kundër qeverisë së saj.
Ndër të tjera, shpreh gatishmërinë për të dhënë qendrimin edhe në emisionin Report në Rai 3.
Edi Rama: Unë nuk kam kërkuar asnjë dëmshpërblim. Të enjten kam shkëmbyer një mesazh miqësor me drejtuesin Ranuçi pasi kam publikuar në rrjetin social X reagimin për fjalimin e tij në një televizion shtetëror. Ndoshta më në fund do të arrij që të them dhe qëndrimin tonë në programin e tij pa u censuruar.
Komunikimin me drejtuesin e televizionit, kryeministri Rama thotë se e pati vetëm për t’i dhënë fund censurës që sipas tij i ishte bërë në emisionin e publikuar.
Klan News