Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Pragë, në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024 për të biseduar rreth çështjeve të Ballkanit Perëndimor. Një nga pikat ku u ndal biseda e tij me moderatorin Steve Clemons është reputacioni i kryeministrit.
Clemons përmendi projektin e Jared Kushner që do të ndërtohet në Sazan, ndërkohë që evidentoi edhe marrëdhëniet e mira të kryeministrit me kabinetin e Joe Biden. Moderatori e pyeti Ramën sesi lundron në këto marrëdhënie me personalitetet botërore, për të cilat kryeministri u përgjigj thjesht se “Shqipëria është një vend i vogël dhe ka nevojë për miq”.
Ai renditi edhe miqësi të tjera në arenën ndërkombëtarë duke shtuar se “kategorizimi nuk është i dobishëm në botën e sotme” dhe është më mirë “të mos biesh dakord se sa të mos flasësh”.
Edi Rama: Unë jam rritur në kohët e komunzimit në një regjim të pamëshirshëm komunist. Ishim Korea e Veriut e Europës. Komunistët thoshin miqtë e miqve tanë janë miqtë tanë, ndërkohë që armiqtë e armiqve tanë janë armiqtë tanë. E shoh ndonjëherë këtë të bëhet mënyrë sjelljeje edhe e demokratëve në Europë, demokratëve në Amerikë, jo Partisë Demokratike, flas demokratëve. Unë nuk besoj te kjo. Unë nuk besoj në zgjedhjen e miqve në këtë lloj mënyre. Nga ana tjetër, ndoshta jam kryeministri më i gjatë këtej pari, ndaj jam i vetëdijshëm që nuk përfaqësoj një vend që është kaq lart. Shqipëria është një vend i vogël, kemi nevojë për miq. Meqë ra fjala për ta bërë më të qartë. Unë jam mik edhe me Jared, edhe me Alex Soros, po, i pashë të dyja fotot. Alex është këtu që është një konfrontim edhe më me kripë sesa Biden dhe Trump. Do të them këtë sidoqoftë: Shqipëria është mike me Turqinë dhe me Greqinë, si mund të marrim anë, si mund të zgjedhim si duhet të vazhdojmë të forcojmë miqësitë me të dyja këto vende? Unë jam mik shumë i mirë me Giorgia Meloni, ajo përfaqëson të djathtën dhe më është dashur t’u shpjegoj të mive të së majtës se nuk është një ide e mirë të mendohet që në qoftë se shkoj e të flas në takimin e partisë së saj ku më kanë ftuar, pra nëse shkoj atje, të konsiderohem tradhtar. Ky lloj kategorizimi nuk është i dobishëm në botën e sotme. Njerëzit janë njerëz. Në fund unë besoj që të flasësh me njerëzit, madje edhe mos të biesh dakord në mënyrë të hirshme me ta, është shumë më mirë se të mos flasësh e të ndezësh mosmarëveshje të cilat mund të bëhen shumë dëmtuese për të gjithë./tvklan.al