“Dashuria e pakushtëzuar” e Shqipërisë për Italinë do të thotë se Roma gëzon privilegjin ekskluziv të strehojë azilkërkuesit në tokën shqiptare. Kështu i tha kryeministri Edi Rama rrjetit televiziv Euronews, ndërsa qeveri të tjera europiane kanë hedhur sytë nga marrëveshja për ta kopjuar.
Por Rama paralajmëroi se qeveritë e tjera europiane që kërkojnë marrëveshje të ngjashme si ajo midis Italisë dhe Shqipërisë, nuk duhet të shikojnë nga Shqipëria.
“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar.”
Paralajmërimi i kryeministrit shqiptar vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se homologu i saj britanik Keir Starmer ka shprehur “interesim të madh” për skemën e përpunimit të azilkërkuesve. Veç Britanisë, veçanërisht e interesuar për një marrëveshje të ngjashme është edhe Gjermania.
Shqipëria po ofron një zgjidhje pragmatike, shpjegoi Rama, duke mohuar gjithashtu se marrëveshja do të sigurojë përfitime për anëtarësimin e vendit në BE.
“Ne vendosëm ta bëjmë këtë (marrëveshje emigracioni) bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si europianë. Sigurisht që është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”.
Sipas marrëveshjes pesë vjeçare të arritur mes Tiranës dhe Romës nëntorin e kaluar, emigrantët e kapur në det në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane do të transferohen në qendrat e pritjes pranë portit të Shëngjinit, ku do të përpunohen me shpejtësi nga personeli italian kërkesat e tyre për azil. Vetëm emigrantët nga vendet që konsiderohen të sigurta nga Italia dhe pretendimet e të cilëve ka të ngjarë të refuzohen, do të dërgohen atje.
Klan News