Pas grupit parlamentar, kryesocialisti Rama ka mbledhur aleatët për të diskutuar për trajtën që do të marr protesta opozitare pas skadimit të ultimatumit 10 ditor që ai i ka vendosur mazhorancës.
Ka qenë një takim rreth 60 minuta ku është vënë re mungesa e kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e ku në përfundim Rama ka ritheksuar kërkesën për hapjen e kutive me një protestë popullore, e cila, sipas tij do të përshkallëzohet në të gjithë Shqipërinë.
Edi Rama: “Jemi të gjithë në një mendje që në emër të të gjithë atij populli të madh opozitar që përfaqësojmë të refuzojmë me përbuzje të gjitha insinuatat e turpshme që kërkojnë të njollosin këtë lëvizje të madhe popullore duke e trajtuar si një episod që meriton epitete.”
Më herët Rama priti në zyrën e tij në selinë rozë drejtorin e përgjithshëm të Ballkanit perëndimor në komisionin evropian zotin Pierre Mirel.
Në përfundim te takimit kryesocialisti deklaroj se i ka bere te qarte zotit Mirel qëndrimin për të vijuar bojkotin.
Edi Rama: “Bëra edhe njëherë të qartë konceptin tonë të thjeshtë se hapja e kutive është kushti themelor për t’i dhënë parlamentit legjitimitetin e munguar dhe njëkohësisht për të mos lejuar që shëmtia e zgjedhjeve të shkuara të përsëritet dhe që Shqipëria të hyjë në një cikël i cili do të ishte një skenë e mbyllur ku pushteti numëron pavarësisht se si voton populli.”
Gjatë qëndrimit të tij disa ditor në Tiranë, në të gjitha takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës në vend zoti Mirel është shprehur qartë se bojkoti parlamentar i opozitës po pengon funksionimin e demokracisë si dhe integrimin e Shqipërisë në BE./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka