Kryetari socialist Edi Rama, ka ftuar qytetarët e Elbasanit të bëhen pjesë e një diskutimi të gjerë politik që do ta zhvendosë vëmendjen nga debatet partiake dhe do të rikthejë atë në problemet e jetës së përditshme. I ftuar të marrë pjesë në mbledhjen e bordit qytetar Rama u shpreh se memoria për votën e dhënë dhe premtimet e pa mbajtura do të bëjnë politikën më të përgjegjshme karshi qytetareve.

Edi Rama: “Duhet të ketë një fuqi qytetare për të komunikuar tek komuniteti nevojën për të pasur memorie lidhur me ata që kërkojnë votën. Çfarë kanë premtuar dhe pse nuk duhet apo duhet t’jau japim votën dhe këtë duhet ta bëjnë sa më shumë njerëz. Për t’i dhënë një cilësi tjetër marrëdhënies së atyre që votuan me ata që votojnë”.

Kryetari socialist ka ftuar banoret e Elbasanit të bëhen pjese e një rrjeti qytetar që së bashku mund të ndikojnë në vendimmarrjet e politikës.

Edi Rama: “Do apo nuk do ti, politika është në koston e faturave të dritës, të ujit, të shpenzimeve … duke e lënë qytetarët, politikën vetëm. E lënë jashtë kontrollit tuaj dhe politika siç ka një fuqi çudibërëse në rast se është e ushqyer nga energjia pozitive, ashtu mund të ketë një fuqi shkatërruese, në rast se është jashtë kontrollit të qytetarëve”.

Takimi i kreut të selisë rozë është zhvilluar në kuadër të bashkëbisedimit me bordet e qytetareve në të gjithë vendin./tvklan.al

Gazetari: Fatos Salliu