Kryeministri Edi Rama, ndodhet në Lushnjë për të zhvilluar një bisedë me mësuesit e këtij qytetit. Duke folur për kushtet e punës për arsimtarët e vendit tonë, ai bëri një krahasim me qeverinë e shkuar, teksa theksoi se asokohe ishte e pasigurt të ishe mësues, pasi nuk dihej nëse të nesërmen do ishe mësues apo jo.

Kreu i qeverisë theksoi se dikur kishte heqje nga puna për shkak të politikave, apo për arsye interesash për t’ ja hapur vendin dikujt tjetër.

Theksin e vuri dhe te mungesa e dikurshme e mësuesve të profilizuar në vend, pasi tha se kishte afërsisht 5000 mësues të cilët jepnin mësim për lëndë të cilët ata nuk kishin studiuar.

“Nuk kemi më shqetësimin e pasigurisë së mësuesve dhe mësues në punë. E them mësues për të mos i marr mësysh, sepse shumicën dërrmuese i kemi vajza e gra. Ishte e pasigurtë të punoje në arsimin publik dhe të mund të mendoje qetësisht për të nesërmen sepse mund të sillte heqjen nga puna ose hedhjen në një vend tjetër. Shpesh herë për të të hequr pa hequr, për të detyruar që të ikësh, në pamundësi për të shkuar në vendin tjetër. Me e keqja fare ishte heqje e brendshme në mënyrë arbitrarë për arsye politike, për arsye interesash, për ti hapur vendin dikujt tjetër. Një nga gjërat më të pabesueshme të kohës kur ne filluam të merreshim me gjithë ato gropa që gjetëm ishte prania në sistem e afro 5000 mësuesve pa arsimin përkatës, që paguheshin për të dhënë fëmijëve lëndë që ishin pa shkollë për të. Tjetra ishte trysnia e madhe për t’u angazhuar në mitingje, në votime, e për të sjellë provën që kishte votuar në mënyrë të caktuar, sepse ashtu e donte pushteti kohës. Të gjitha këto nuk janë më.”, tha Rama para mësuesve.

Sakaq, Rama u ndal dhe tek lehtësimi i rekrutimit të mësuesve në vend, përmes platformës së detyrueshme “Mësues për Shqipërinë”, ashtu sikurse vuri theksin se sot është më e lehtë rritja në detyrë sipas eksperiencës.

“Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që kemi futur në një ulli komplet tjetër të gjithë rrugën e meritës, për mësuesit,. Që nga rekrutimi, i cili bëhet përmes portalit mësues për Shqipërinë, e deri tek rritja në karrierë e mësuesve ne ato shkallët që ju keni sipas punës që bëni, testimeve, dhe sipas kohës në detyrë. Patjetër më vjen mirë që kemi zgjidhur problemin e teksteve, e kemi ndryshuar kushtet e shkollës. Ka ende shkolla që duhen rindërtuar, por shumica dërrmuese, e sidomos ato në qendra urbane, janë si dita me natën me kushtet që kishit më parë, që ishin të papranueshme, për një vend në mes të Evropës”, u shpreh Rama.

Përsa i përket pagës së mësuesve, Rama cilësoi se sot mesatarisht rroga e tyre është 930 Euro dhe se ka ndryshuar shumë nga siç ka qenë.

“Thënë të gjitha këto, duke qenë se jemi këtu në një bashkëbisedim, mbase keni dëgjuar këto që thashë e nuk besoj se është e udhës t’ju marr më shumë kohë për të ngritur shqetësime, por më vjen shumë mirë që sot jeni një kategori shoqërore e mbrojtur, e respektuar, dhe e vlerësuar e financiarisht shumë herë më mirë sesa më parë. Sot paga mesatare e mësuesve është 930 Euro dhe natyrisht që është shumë më shumë seç ishte, por duhet të jetë ende më tepër, e jemi shumë të vetëdijshëm për këtë”, tha ai.