Partia Socialiste ka zhvilluar online sot mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe kryeministri i Edi Rama. Në fjalën e tij Rama tha se takimi i sotëm ishte miratimi i vendimit për të mbledhur Kongresin e PS më 20 Korrik.
Rama tha se Kongresi duhet të trajtojë një pasqyrë të përgjithshme të Shqipërisë si dhe duhet të nisë puna për programin e mandatit të katërt të Partisë Socialiste.
Edi Rama: Kongresi do duhet të trajtojë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend duke projektuar punën për programin e mandatit të katërt në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”. Për këtë do të angazhohet një grup i veçantë. Por në Kongres do të bëhet një pasqyrë përmbledhëse e gjendjes në raport me gjendjen e Shqipërisë 2030, pra ku jemi dhe ku do të mbërrijmë.
Gjithashtu kryeministri bëri të ditur se në Kongresi do të paraqitet edhe një platformë digjitale për përzgjedhjen e deputetëve të PS. Kjo platformë është përdorur edhe një zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, por kësaj here ajo do të jetë më e gjerë dhe do u ofrojë mundësinë shumë të rinjve që t’u bashkohen me vizionin e tyre listave të deputetëve të PS.
“Dhe e treta në Kongres do të paraqesim edhe platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve dhe deputeteve të Partisë Socialiste. Duke nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara, ku siç iu kujtohet në krijuam për herë të parë një platformë digjitale të quajtur “Deputeti që duam” dhe mblodhën një numër jo të vogël shprehën interes për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjeve të Partisë Socialiste.
Disa nga të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë pjesë edhe e listave tona zgjedhore, por për zgjedhjet e ardhshme platformë do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces disi më të artikuluar dhe për këtë është mirë që t’i japim vetes kohën e nevojshme nga Kongresi Zgjedhor deri në momentin ku do të bëhet edhe përzgjedhja përfundimtare e listës së deputetëve dhe të deputeteve të Partisë Socialiste,” përfundoi fjalën e tij kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al