“Të lumtë z. Kryeministër, avash, avash po e rregullon Shqipërinë, por me ujin e pijshëm dhe me pensionet nuk po punon mirë. Vëri një vëmendje më të madhe këtyre dy çështjeve kryesore për popullin dhe pensionistët respekoi më shumë”.

Ky ishte komenti i radhës të cilin kryeministri Edi Rama kishte zgjedhur t’i përgjigjej “Sy m’sy” në rrjetet sociale. E teksa ndodhej rrugës për Elbasan, Rama u shpreh se borxhi i shoqërisë ndaj pensionistëve nuk lahet kurrë. Mirëpo ai thekson se qeveria socialiste ka bërë reformën në pension që i ka dhënë pensionistëve të dalë 10 vitet e fundit, pension më të lartë. Po ashtu nuk ngurron të përmendë bonusin për Vitin e Ri dhe atë të pranverës.

“Këto janë fakte kuptimplota të kujdesit të vazhdueshëm për pensionistët me të cilët ne do të ndajmë në çdo hap pjesën e tyre të merituar nga rritja tanimë e pandalshme e ekonomisë”, tha Rama.

Një pjesë të mesazhit të tij e pati edhe për opozitën. Ai u shpreh se ata ofrojnë premtime të parealizueshme. Ndërkohë për Ramën pensionistët “nuk e harrojnë kush e bëri Shqipërinë ‘lesh e li’” si dhe “e dinë aritmetikën më mirë se “Lulat” e rinj”.

“Të tjerët, ata që s’kanë e s’do kenë asgjë në dorë që nga një katran i madh pa din e pa iman tek ca katranë të vegjël pa cipë dhe pa nishan ofrojnë për pensionistët qilima fluturues, qilima si trashëgimtarë të denjë të politikës ekonomike të Sudes dhe të Xhaferrit. Por mos ta harrojë askush ndër shumë të mira të tjera, pensionistët e para, nuk e harrojnë se kush e bëri Shqipërinë lesh e li, e dyta e dinë aritmetikën më mirë se sa “Lulat” e rinj dhe e kanë më të qartë se kushdo tjetër që ne nuk jemi më të mirët por më të mirë se ne ky vend as ka pasur, as nuk gjen dot dhe për nja 10 vjet të tjera pa diskutim”, tha Rama./tvklan.al