Kryeminsitri Edi Rama ka shprehur kënaqësinë për medaljen e fituar të mundësit Dudaev. Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur suksesin historik të Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Parisit.
Me një mesazh në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit shprehu kënaqësinë për medaljen e dytë olimpike të ekipit kuqezi.
“Ja edhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë. Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq”.
Por Rama dha edhe një përgjigje pas reagimeve që solli komenti i tij për medaljen e parë në histori të Shqipërisë në olimpiadë.
Kryeministri shpjegoi edhe se perse Ymer Pampuri nuk fitoi medalje te artë në Lojërat Olimpike të Mynihut në vitin 1972.
“Ymer Pampuri bëri një sukses e bujë të jashtëzakonshme, duke dalë i pari në stilin e forcës (asokohe kishte tre stile gara e ngritjes së peshave), por i nënti në klasifikimin e garës olimpike të Mynihut, si rrjedhojë e rezultatit shumë më të ulët në tre stilet e kombinuara. Medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike”.
Rama u ndal edhe te çështja e natyralizimit të sportistëve.
“Në plot skuadra kombëtare të vendeve të Europës, në gjithëfarë disiplinash sportive, ka sportistë të lindur gjetkë dhe të birësuar nga vende të ndryshme për të arritur sa më shumë rezultate për flamujt e tyre, po as nuk kanë si ta dinë se çfarë gare bëhet nga federatat e komitetet olimpike për birësimin e këtyre talenteve”.
Sot sportistët elitarë të ngjyrave të Shqipërisë në kompeticionet ndërkombëtare, jo vetëm shpërblehen më mirë se sa në shumë vende të Europës për rezultatet e larta në arenën e më të mirëve, po as nuk mbeten më rrugëve kur varin këpucët e garave në gozhdën e fundit të aktivitetit sportiv.
Kreu i qeverisë ka vënë në dukje se tashmë jo vetëm që janë krijuar kushte optimale për sportistët tanë por edhe për të thirur talentet e reja ndërkombëtare.
Klan News