“Sjell bum të ardhurash, e çon turizmin në nivel të lartë botëror”
Projekt propozimin e bërë nga Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, për të ndërtuar në ishullin e Sazanit një resort turisitk të një prej markave më prestigjoze në fushën e hotelerisë “Aman”, Edi Rama e sheh si një mundësi të artë për ta kthyer Shqipërinë në xhevahir të turizmit mesdhetar.
Nga studio e emisionit “Opinion” s’e fshehu aspak se projekt-propozimi i cili është depozituar pranë Agjencisë së Investimeve të Huaja është një prej ambicjeve të tij të hershme.
“Një investim i cili ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë qysh në krye të herës dëshira, ambicia edhe e paraardhësve të mi që ka qenë fiksimi im qysh se kam ardhur në detyrë, kemi pasur 3 apo 4 kërkesa më parë joformale nga investitorë të mëdhenj të cilët i kemi refuzuar ne, nuk janë larguar, sepse nuk kanë qenë ambicie dhe qasje të përputhura me atë që ne mendojmë se duhet të jetë Sazani. Shpresoj që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit Mesdhetar.
Për herë të parë sqaroi se si ishte njohur me dhëndrin e Ish-Presidentit amerikan.
“E kam njohur rastësisht se ai ka ardhur me gruan dhe miq të tjerë për ta vizituar Shqipërinë me jaht. Pronari i jahtit më ftoi kur kishin ndaluar në Durrës. Shkova, u takuam, kemi biseduar dhe kaq. Kjo ka qenë njohja. Pastaj jemi takuar herë pas here”.
Poshtë hodhi çdo aludim se pas këtij projekti qëndron një mundësi e artë e Kryeministrit për të rivendosur marrëdhëniet me ish-presidentin amerikan, pasi e cilësoi në 2016 si turp të civilizimit.
“Unë nuk kam raport për të rindërtuar me Presidentin Trump se raportin me të e kam pasur shumë të mirë”.
Turizmi elitar mbetet një prej vizioneve që thotë se do të përmbushë.
“Është turizëm që nuk ndot, që me një klient sjell në ekonominë e vendit të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë”.
E teksa për Sazanin ka zyrtarisht një projekt-propozim për të cilin qeveria nuk ka një vendim, për Zvërnecin, i cili është zonë e mbrojtur, ende nuk ka një të tillë.
“S’kemi akoma asnjë projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvërnecit”.
Nga studio e “Opinion”, Rama hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës për portin e Durrësit.
“Porti jo që do të ketë impakt, por porti do të jetë fitimprurës për shtetin dhe shqiptarët.”
Lidhur me akuzat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt, Rama tha se nuk komenton për njerëz të kërkuar nga drejtësia. Ndërsa pyetjes nëse ka ndonjë përgjegjësi për zyrtarët e arrestuar, Rama dha këtë përgjigje: Kam përgjegjësinë se çfarë kemi nisur duke i dhënë jetë SPAK-ut, të mos ndalet.
Rama tha se nuk kishte asnjë marrëveshje me opozitën për komisonet hetimore dhe se nismat u pranuan pasi ishin konform kushtetutës.
“E ngritën të gjithë ujin përpjetë dhe pasi e harxhuan ujin që kishin përpjetë dhe pastaj pasi e harxhuan ujin që e ngritën përpjetë, mbërthyen pantollonat dhe u ulën atje ku ishin.“
Tv Klan