Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në turin e tij për dialog me shqiptarët është ndalur në fshatin Zall Herr të Tiranës duke ftuar banorët të bashkohen me partinë që ai drejton për ta bërë atë një forcë të dëgjimit të halleve të tyre.

Edi Rama: “Bashkërisht PS-ën ta kthejmë në një forcë që ka një aftësi të veçantë dëgjimi të atyre që thonë njerëzit, të atyre që thonë ata që nuk kanë mundësi të dalin në televizor, që nuk kanë mundësi të dalin në radio, që nuk kanë mundësi të dalin në gazetë, që nuk kanë mikrofon te dera e shpisë për të qarë hallin e tyre dhe që nuk ua qan kush hallin”.

Rama deklaroi se vetë shqiptarët duhet besojnë se e ardhmja ndërtohet këtu dhe ata vetë do ta bëjnë me zgjedhjen e tyre për alternativën e duhur politike.

Edi Rama: “Nuk ka më gjenerata jonë shpresë në rast se Sali Berisha ka dhe 4 vjet mundësinë të vazhdojë shkatërrimin struktural që po i bën këtij vendi. Ikën 18 vjet, mund të ikin dhe 18 të tjera në qoftë se ne nuk reagojmë si evropianë. Evropën mund ta ndërtojmë këtu në Shqipëri dhe këtu do ta ndërtojmë dhe në Evropë do të lëvizim lirisht dhe mund të lëvizim lirisht, por ama ka një kusht që të reagojmë si evropian ndaj një keqqeverisje që nuk ka asgjë të përbashkët me standardet evropiane dhe që nuk mund të na çoj në Evropë”.

Kreu i socialistëve duke diskutuar me banorët për çfarë ofron partia e tij, është njohur edhe me problemet konkrete që shqetësojnë jetën e tyre të përditshme./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi