Selia rozë reagon në lidhje me ecurinë e procesit për pajisjen e qytetareve me letërnjoftime elektronike. Në një dalje për mediat kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi qeverinë se po dështon në atë që ai e cilësoi i pari provim për Shqipërinë në NATO.

Edi Rama: “Zgjedhjet që vijnë janë provimi i parë i Shqipërisë në NATO. Kohë për të humbur nuk ka në qoftë se nuk duam ta humbasim këtë provim. Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, hija e dështimit të këtij provimi të parë të demokracisë sonë pas anëtarësimit në NATO, është për ditë e më kërcënuese. Kur mbeten edhe 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, ne i themi qeverisë shqiptare të dëgjojë zërin e arsyes duke hequr taksën e votës dhe duke dhënë falas kartën e identitetit për votim”.

Duke i kujtuar qeverisë se e nesërmja mund të jetë tepër vonë, Rama tha se PS mbetet e vendosur për të kontribuar në këtë proces në mënyrë që Shqipëria të kalojë me sukses këtë provim të madh./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro