Kryeministri Edi Rama në një takim me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog bëri thirrje që të marrë fund konflikti mes Izraelit dhe Palestinës. Rama theksoi se lufta kundër terrorizmit është më e vështirë sesa nga ç’mund të shihet.

Edi Rama, Kryeministër: Kemi qenë jemi dhe do jemi përherë në mënyrë të palëkundur kundër çdo formë antisemitizmi dhe kundër çdo shprehje apo intolerance ndaj hebrenjve. Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe populli i Palestinës jetojnë është shumë e rëndë dhe është absolutisht diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt.

Shqipëria ka qenë një mbështetëse e armëpushimit dhe cdo përpjekje për të sjellë në shtëpi pengjet dhe për të mirën e të gjithë njerëzve. Jemi krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitet që duan të vijnë, qofshin turistë, sipërmarrës, artistë shkrimtarë, qofshin njerëz që merren me teknologji apo edhe atyre në moshë që duan të jetojnë në zemër të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog u shpreh se ndihet i nderuar që është Presidenti i parë izraelit të viziton Shqipërinë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Isaac Herzog, President i Izraelit: Është nder dhe kënaqësi që gjendem këtu në Shqipëri si Presidenti i parë izraelit që bën vizitë që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të vendeve tona. Është domethënëse të jem mes miqsh në këtë kohë kaq të dhimbshme për Izraelin. Po i afrohemi prej 1 viti që prek kur Hamasi sulmoi në mënyrë brutale Izraelin, kur mijëra terroristë hynë në vendin tonë, vranë egërsisht mijëra dhe rrëmbyen qindra izraelit dhe të huaj në Gaza. Që prej asaj dite të errët në tetor, Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur, është radhitur në anën e duhur të historinë.

I dashur kryeministër Rama vendi juaj ka treguar edhe njëherë që qëndron krah popullit izraelit, ndërkohë që ne luftojmë të mbrojmë popullin dhe kufirin tone. Për fat të keq po luftojmë në të njëjtin kohë më shumë se sa një armik terrorist. Hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejteds është Irani dhe fiksimi i tij me shkatërrimin e shtetit izraelit. Këtu e dini mjaft mirë këtë regjim. Shqiptarët dhe hebrejntë ndajnë një histori të gjatë e domethënëse

Presidenti Bajram Begaj, diskutoi me Presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog jo vetëm për bashkëpunimin dypalësh, por edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.

Çdo shqiptar u shpreh Presidenti Begaj, është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas Presidentit shqiptar njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.

Shqipëria, theksoi Kreu i Shtetit, i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike pas sulmeve kibernetike nga Irani në vitin 2022.

Presidenti i Izraelit u prit edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila nënvizoi miqësinë dhe partneritetin e fortë me Izraelin në fusha si politika, ekonomia, mbrojtja, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike.

Pas këtyre takimeve, presidenti Herzog falenderoi përmes një mesazhi në rrjetin social “X”,  kryeministrin Rama për pritjen miqësore dhe mbështetjen historike të Shqipërisë.

Vendi yne ka dënuar sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit si dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm.

Klan News